Pse “Bajrak” dhe jo “Flamur”? Historia pas një emri

Kohët e fundit, në seksionin e komenteve kemi parë një pyetje që përsëritet shpesh, herë me kuriozitet e herë me një lloj “shqetësimi” gjuhësor: “Pse keni zgjedhur emrin turk Bajrak dhe jo fjalën shqipe Flamur?”

Është e lehtë të gjykosh një libër nga kopertina (ose një emër nga rrënja etimologjike), por zgjedhja jonë nuk është thjesht çështje fjalori. Është çështje identiteti, historie dhe trashëgimie.

Më shumë se një copë rrobë: Çfarë përfaqëson Bajraku?

Termi Bajraktar (nga turqishtja bayraktar, që do të thotë “mbajtës i flamurit”) nuk hyri në trevat shqiptare thjesht si një fjalë e huaj gjatë shekujve XVI-XVII. Ai u shndërrua në një institucion social dhe ushtarak.

  • Udhëheqja: Bajraktari nuk ishte thjesht një njeri që mbante një copë pëlhurë; ai ishte prijësi i një njësie administrative dhe ushtarake që bashkonte njerëzit rreth një kauze.
  • Përgjegjësia: Ky titull mbartte peshën e vendimmarrjes në kohë lufte dhe paqeje.
  • Nderi: Të ishe pjesë e Bajrakut do të thoshte të mbroje territorin, familjen dhe traditën.

Pse e zgjodhëm ne?

Vendimi për të përdorur emrin Bajrak vjen si një homazh i drejtpërdrejtë për paraardhësit tanë dhe origjinën tonë. Për ne, ky emër nuk simbolizon ndikimin gjuhësor të një perandorie, por vlerat e udhëheqjes me maturi, qëndrueshmërisë dhe ndershmërisë që kanë kaluar brez pas brezi në familjen tonë.

Të nderosh origjinën do të thotë të pranosh historinë ashtu siç ka rrjedhur, me të gjitha nuancat e saj, duke marrë prej saj më të mirën: përgjegjësinë për të prirë.


Një shënim i vogël për “analistët” e gjuhës:

E kuptojmë që për disa, sipërfaqja është gjithçka. Por, përpara se të nxirrni lapsin e kuq për të korrigjuar “pastërtinë” e termave, kujtohuni që gjërat nuk duhen analizuar vetëm nga ajo që duket jashtë. Esenca nuk qëndron te tingulli i fjalës, por te pesha që ajo mban.

Fundja, edhe ambalazhi i një dhurate mund të jetë i huaj, por rëndësi ka çfarë ka brenda… apo jeni mësuar t’i hani gjërat me gjithë letër?

Nuk na sjell lavdi origjina, në qoftë se jemi të përçamë e mendojmë si t’i bajmë vorrin vëllaut.

Zef Pllumi